Kondiloma gjenitale te meshkujt

Kondilomat gjenitale shkaktohen nga papillomavirusi human (HPV).
Kondilomat gjenitale mund të ndeshen si tek meshkujt ashtu edhe te femrat.
Bashkë me kondilomat trajtohet edhe infeksioni që i shkakton.

Çfarë janë?

Kondilomat gjenitale janë masa të vogla dhe të buta që shfaqen në organet gjenitale. Këto masa mund të shkaktojnë dhimbje, parehati dhe kruarje.

Kondilomat gjenitale janë një infeksion seksualisht i transmetueshëm dhe mund të prekin femrat dhe meshkujt seksualisht aktivë. Infeksioni nga HPV është veçanërisht i rrezikshëm për femrat pasi disa lloje HPV mund të shkaktojnë edhe kancer të qafës së mitrës dhe vulvës.

Cilat janë simptomat?

Kondilomat ose lythat gjenitale transmetohen me rrugë seksuale, duke përfshirë rrugën orale, vaginale dhe anale. Shfaqja e tyre mund të vonojë disa javë deri në disa muaj pas infektimit.

Kondilomat ose lythat gjenitale nuk janë gjithmonë të dukshme për syrin e njeriut. Mund të jenë me përmasa shumë të vogla me të njëjtën ngjyrë si lëkura ose, ndonjëherë, lehtësisht më të errëta. Ndonjëherë kanë pamje të ngjashme me lulelakrën dhe mund të jenë solitare ose në grup.

Tek meshkujt kondilomat mund të shfaqen në:

– penis
– skrotum
– rrëza e kofshës
– pjesa e brendshme e kofshës
– përreth anusit

Gjithashtu, lythat gjenitalë mund të shfaqen në buzë, gojë, gjuhë ose fyt në rastet kur një person ka kryer marrëdhënie orale me dikë të infektuar me HPV.

Çfarë i shkakton kondilomat gjenitale?

Në shumicën e rasteve shkaktohen nga HPV (Human Papilloma Virus). Ka rreth 30-40 shtame të HPV-së që mund të prekin organet gjenitale, por vetëm disa prej tyre shkaktojnë kondiloma.

Virusi ka transmetueshmëri të lartë nëpërmjet kontaktit lëkurë më lëkurë.

Si trajtohen kondilomat ose lythat gjenitale?

Pavarësisht se masat e buta të jashtme ndonjëherë mund të bien edhe vetë, vetë  HPV mund të vazhdojë I heshtur në qeliza duke shkaktuar disa shpërthimet përgjatë jetës. Menaxhimi i simptomave është i rëndësishëm për mos ta transmetuar virusin tek të tjerët.

Mjeku mund të japë trajtime locale që mund të përfshijnë imiquimod, podofilinë ose acid trikloracetik. Në rast se këto trajtime dështojnë, mund të jetë e nevojshme mikrokirurgjia.

Në klinikën tonë mikrokirurgjia e kondilomave kryhet nga kirurgu urolog me teknologjinë më të fundit laser. Ka shumë rëndësi që në momentin që konsiderohet trajtimi mikrokirurgjikal të zgjidhen procedura efektive, komode dhe që garantojnë rezultate afatgjata.

Sa kohë kërkon rikuperimi?

Pas trajtimit mikrokirurgjikal me lazer të lythave gjenitalë, rikuperimi i plotë kërkon 5-10 ditë sipas kohës individuale të rigjenerimit. Gjatë kësaj kohe rekomandohet që zona të mbahet e pastër dhe e thatë.

Urologji