Ajo cfarë nënkuptojmë ne me nishanet në gjuhën e përditshme përfaqësohet nga lezionet e pigmentuara të sheshta deri në formacionet e ngritura mbi nivelin e lëkurës.
Çfarëdo lloji që të jetë, përpara se të konsiderohet heqja e tij, qoftë për arsye estetike apo dhe mjekësore, duhet kryer kontrolli dermatoskopik dhe në rast se shihet e nevojshme, biopsia.
Në klinikën ”San Luca”, ndiqet cikli i plotë i diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së lezioneve të lëkurës.
Përdorimi i laserit kirurgjikal për heqjen e lezioneve të lëkurës e ka shtuar komoditetin e trajtimit, shkurtuar kohën e rikuperimit dhe reduktuar maksimalisht probabilitetin për të lënë shenja pas shërimit.
Trajtimi me laser kirurgjikal
Laseri kirurgjikal ka precizion të lartë dhe mund të bëjë qoftë ablacionin (shkatërrimin) e lezionit ashtu edhe ekscizionin (prerjen) e tij. Ka disa avantazhe duke nisur nga fakti se pas procedurës nuk ka nevojë të përdoret suturim (qepje), rikuperimi është i shpejtë dhe mundësia për të lënë shenja është shumë më i reduktuar krahasuar me kirurgjinë klasike.
Sa shkon koha e rikuperimit?
Koha e rikuperimit varion mesatarisht 10-14 ditë, megjithatë, ajo është në varësi të përmasave të lezionit që hiqet dhe shpejtësisë së rigjenerimit individual.
A ngel shenjë?
Pas trajtimit me laser kirurgjikal, mundësitë për të mbetur shenjë janë minimale. Kjo ndodh për disa arsye:
- Trauma që i bëhet lëkurës është minimale.
- Ndërkohë që eliminon lezionin, laseri kirurgjikal bën edhe koagulimin e indeve duke ndihmuar në shërim.
- Laseri kirurgjikal ka precizion të lartë dhe nuk dëmton indet përreth.
- Nuk përdoren sutura (qepje).