Teknika e re që ka revolucionuar botën e injeksioneve estetike

Përdorimi i ekografisë Doppler në injeksionet estetike

Dy janë kërkesat më të shpeshta në fushën e kujdesit mjekësor-estetik, fillerat apo mbushësit, si dhe toksina botulinike. Injeksionet anti-rrudhë me botox kërkohen më së shumti pas moshës 30 vjeçare, në zonat ku mimika luan rol për shfaqjen apo shtimin e tyre para kohe. Zonat ku aplikohen më tepër janë në mes të vetullave, zona anash syve, anës buzëve, si edhe balli.

Në fakt, toksina botulinike është teknika mjekësore-estetike më e kryer në botë. Për të injektuar këto substanca është e nevojshme që mjeku të ketë njohuri të hollësishme të anatomisë së fytyrës dhe të ketë të qartë vendndodhjen e muskujve, arterieve, venave dhe strukturave të tjera anatomike. Tashmë jemi në një epokë të re të mjekësisë estetike, të asaj nën ekografi.

Çfarë janë injeksionet nën ekografi?

Ekografia e indeve të buta na lejon të vizualizojmë me anë të një sonde të veçantë indet e buta të nënlëkurës dhe vazat: arteriet e venat. Indet e buta përbëhen nga lëkura e cila ka shtresën sipërfaqësore që e shohim me sy të lirë, epidermën, membranën bazale dhe dermën. Më poshtë ndodhet indi dhjamor subkutan, i cili në varësi të strukturës anatomike ka trashësi të ndryshme. Ende më thellë ndodhen fasciat, muskujt dhe ligamentet.

Vizualizimi i këtyre shtresave na lejon të identifikojmë me saktësi strukturën anatomike që duam të shënjestrojmë.

Pse na ndihmon ekografia?

Kryerja e një ekografie përpara injektimit të substancave estetike na jep disa përparësi:

Saktësi më e lartë: mund të gjejmë me siguri muskulin që dëshirojmë të relaksojmë me toksinë botulinike ose ku të depozitojmë materialin me acid hialuronik.

Më tepër siguri: duke lokalizuar enët e gjakut me ekografi Doppler mund të shmangim jo vetëm hematomat, por edhe ndërlikimet si injektimi intraarterial i acidit hialuronik, i cili mund të shkaktojë nekrozë (vdekje) të indeve, madje edhe embolitë që mund të shkojnë në arteriet e retinës.

Reduktim i dozës: duke qenë të sigurt për hartën anatomike, kemi më pak nevojë për produkt pasi materiali është më i përqendruar.

Rezultate më lehtësisht të parashikueshme: jo rrallë janë hasur vështirësi në riprodhimin e rezultatit kur rikryhet procedura pas disa muajsh. Teknika e drejtuar nën ekografi arrin të përcaktojë përherë të njëjtat pika injektimi, prandaj rezultatet janë njësoj vazhdimisht, pavarësisht kalimit të viteve.

– Na lejon të vizualizojmë materialin që kemi injektuar, ta lokalizojmë dhe më vonë të kontrollojmë nëse është integruar mirë në inde.

Lokalizimi i saktë i fillerave me acid hialuronik na ndihmon të shkrijmë më lehtë materialin me enzimën hialuronidazë në rastet kur duam të zhbëjmë efektin. Duke shmangur vazat dhe shënjestruar vetëm materialin, shmangim hematomat dhe efektet e tjera anësore.

Në rast të ndërlikimeve me filler, si inflamacion apo alergji, ekografia shërben si një udhëzues për të vendosur një diagnozë të asaj që po ndodh në lëkurë. Shërben gjithashtu si një udhëzues për të lokalizuar materialin në rast se duam ta trajtojmë atë.

Përdorimi i ekografisë bën që teknikat e injektimit të arrijnë në një nivel më të lartë për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e ndryshimeve estetike të fytyrës dhe trupit.

Klinika ”San Luca”, avangarde në përdorimin e ekografisë në injeksionet estetike

Në klinikën San Luca, mjekë imazheristë me përvojë të gjatë në përdorimin e ekografisë Doppler për indet e buta realizojnë injeksionet me toksinë botulinike dhe filler me acid hialuronik. Kombinimi i përvojës klinike, imazherike dhe përdorimit të matjeve për të ruajtur proporcionet e portretit, e bëjnë këtë metodë të sigurt, efikase dhe me rezultate shumë elegante.

Leave a reply